Secondary Adv

Shqipëria rikthehet me shtesë natyrore negative, vdekjet tejkalojnë lindjet në fillim të 2026

Shqipëria ka regjistruar më shumë vdekje sesa lindje gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke rikthyer shtesën natyrore të popullsisë në territor negativ, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

368 vdekje më shumë se lindje

Sipas statistikave zyrtare, gjatë tre muajve të parë të vitit lindën 5.146 foshnje, ndërsa u regjistruan 5.514 vdekje, duke sjellë një bilanc negativ prej 368 personash. Fenomeni i shtesës natyrore negative ishte shfaqur për herë të parë gjatë pandemisë Covid-19, kur humbjet e larta të jetës tejkaluan numrin e lindjeve në vend.

 

INSTAT sqaron se në vitet e fundit tremujori i parë zakonisht karakterizohet nga një shtesë natyrore negative për shkak të rritjes së vdekjeve gjatë sezonit dimëror.

 

Lindjet në rritje të lehtë, vdekjet në rënie

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i lindjeve u rrit me 1 për qind, ndërsa vdekjet ranë me 7.4 për qind. Qarku i Tiranës regjistroi numrin më të lartë të lindjeve, me 2.438 foshnje, ndërsa Gjirokastra kishte numrin më të ulët, me vetëm 59 lindje.

 

Në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar, lindjet u rritën në gjashtë qarqe, mbetën të pandryshuara në një qark dhe ranë në pesë qarqe. Rritja më e madhe e lindjeve u regjistrua në Berat me 14.5 për qind, ndërsa rënia më e fortë u shënua në Gjirokastër me 23.4 për qind.

 

Emigracioni dhe rënia e lindjeve po tkurrin popullsinë

Edhe pse gjatë gjithë vitit 2025 Shqipëria regjistroi një shtesë natyrore pozitive prej 1.147 lindjesh më shumë se vdekjet, treguesi mbetet në rënie krahasuar me vitin 2024. Gjatë vitit të kaluar në vend lindën 22.541 foshnje dhe u regjistruan 21.394 vdekje.

 

Ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i emigracionit të lartë dhe rënies së lindjeve pritet të sjellë tkurrje të mëtejshme të popullsisë, me pasoja të drejtpërdrejta në tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe skemat e kujdesit social.

 

IOM: Emigracioni po ndikon në rënien e popullsisë

Së fundmi, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në raportin “World Migration Report 2026”, vlerësoi se Shqipëria është ndër vendet europiane më të rrezikuara nga emigracioni i personave në moshë riprodhuese. Sipas raportit, largimi i të rinjve po ndikon drejtpërdrejt në uljen e lindjeve dhe në përshpejtimin e rënies së popullsisë në vend.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat